Ngërçi i zgjatur politik po e pengon agjendën e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, thuhet në dëshminë e shkruar përpara Nënkomitetit për Evropën në Kongresin Amerikan të Daniel Lawton, zëvendësndihmës sekretar amerikan i shtetit.
Lawton ka thënë edhe se “epoka e ndërtimit të shteteve të imponuara nga jashtë ka përfunduar”.
Këto edhe priten të jenë mesazhet kryesore të tij, gjatë dëshmisë së që do ta bëjë më 15 shtator para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
Në deklaratën e përgatitur për seancën, e cila është bërë publike paraprakisht, Lawton përmend zgjedhjet e përsëritura në Kosovës, periudhën e gjatë me Qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve si faktorë që kanë penguar avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
“Kemi një agjendë të gjerë bashkëpunimi me Kosovën, e cila, fatkeqësisht, është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, periudha e zgjatur me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve të nevojshme për avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta”, thuhet në deklaratë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Lawton ka theksuar se Uashingtoni u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që ta përmbyllin procesin e formimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.
Në deklaratë, këto nuk janë kritikat e vetme për Kosovën.
Lawton pritet që në dëshminë e tij të thotë edhe se SHBA-ja ka ngritur shqetësime për atë që e përshkruan si “kontroll të tepruar ligjor dhe policor” ndaj popullsisë serbe të Kosovës.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë të drejta të barabarta dhe mbrojtje të barabartë nga ligji, nëse Kosova dëshiron ta ruajë stabilitetin”, thuhet në deklaratën e tij.
Normalizimi i marrëdhënieve dhe ruajtja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që të cilësohen si thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Lawton ka theksuar se që nga Marrëveshja e Uashingtonit, e 4 shtatorit 2020, e cila ishte ndërmjetësuar nga Presidenti amerikan, Donald Trump, është bërë “përparim i rëndësishëm”.
Por, ai konsideron se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur, për shkak të “vullnetit të pamjaftueshëm politik nga të dyja palët”.
SHBA-ja, sipas deklaratës, vazhdon t’i bëjë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i shmangin provokimet, t’i përmbushin zotimet e tyre dhe t’u rikthehen bisedimeve të drejtpërdrejta pa parakushte.
Duke folur për raportet me Serbinë, Lawton ka thënë se Uashingtoni po punon që SHBA-të të jenë “partneri i zgjedhur”, me synimin për të kundërshtuar ndikimin e aktorëve kundërshtarë të SHBA-së.
“Përpjekjet tona po funksionojnë dhe partneriteti ynë dypalësh po bëhet më i fortë”, thuhet në deklaratë.
Ai përmend nisjen e Dialogut Strategjik në korrik mes SHBA-së dhe Serbisë. Për të, Serbia është një “vend kyç në ekuilibrin rajonal” dhe thotë se angazhimi me të do të mbetet i “rëndësishëm për mbrojtjen e interesave amerikane”.
Duke folur për prioritetet më të gjera të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, Lawton ka thënë se SHBA po u kërkon udhëheqësve të rajonit të mos vazhdojnë të rihapin mosmarrëveshjet e së kaluarës, por të përqendrohen në iniciativa konkrete për të çuar vendet e tyre përpara.
“Ne mbetemi të gatshëm të punojmë me ata që janë të përgatitur të ecin drejt së ardhmes, por kemi pak interes për ata që do të minonin stabilitetin për qëllime vetjake, ose që vazhdojnë të rihapin mosmarrëveshje të dekadave të kaluara”, thuhet në deklaratën e Lawtonit.
Ai i referohet edhe qëndrimit të zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Christopher Landau, se “epoka e ndërtimit të shteteve të imponuara nga jashtë ka përfunduar”.
Kjo, sipas Lawtonit, nuk nënkupton tërheqjen amerikane nga Ballkani Perëndimor.
Ai thotë se SHBA-ja mbetet aktive në përpjekjet për rezultate që avancojnë interesat e saj dhe që u mundësojnë aktorëve lokalë t’i gjejnë vetë zgjidhjet.
Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor ndahet në tri pika, sipas Lawton. Stabiliteti, interesat ekonomike dhe tregtare dhe luftimi i kërcënimeve ndaj SHBA-së.









