Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se janë dy vende të Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që ende nuk i kanë miratuar reformat në kuadër të Planit të Rritjes.
“Dy nga 6 vendet e Ballkanit nuk kanë filluar të miratojnë reformat”, tha Kos në fjalën e saj hyrëse në Samitin për Planin e Rritjes që po mbahet sot në Tiranë.
Për dallim nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, Kos përmendi dy vende tjera – Shqipërinë dhe Malin e Zi – që kanë bërë progres në këtë drejtim.
“Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 55% të reformave të dakorduara. Shoh një lidhje shumë të mirë të avancimin në procesin e anëtarësimit dhe reformave”, shtoi ajo.
Kos edhe theksoi se Plani i Rritjes ka të bëjë “me sigurinë dhe Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor”. “Ky është një gabim që e kemi bërë në të shkuarën por nuk mund ta bëjmë më”.
“Ju jeni pjesë e Evropës, ne thjesht duhet ta bëjmë këtë edhe në mënyrë institucionale. Sot kemi ardhur këtu të shohim se çka po ecë me Planin e Rritjes, sepse tani jemi dy vjet pasi kemi filluar Planin e Rritjes. Kemi edhe dy vjet por tani është momenti të diskutojmë”, potencoi.
Samiti i Planit të Rritjes është duke u mbajtur këtë të premte në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Samit nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.









