Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se sektori i energjisë është menaxhuar “tmerrësisht keq” gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes.
“Fatkeqësisht, gjithë këto vite sektori i energjisë është menaxhuar tmerrësisht keq. Pesë vite pa asnjë kapacitet të ri energjetik. Projektet e iniciuara në qeveritë paraprake janë ndërprerë, duke krijuar terren për import enorm të energjisë elektrike”, shkroi Hoti në Facebook.
Në këto ditë dimri, pasiguria e furnizimit me energji elektrike thekson se çrregullon çdo planifikim familjar për festat e fundit të vitit.
“Bizneset detyrohen të ndërpresin punën apo të punojnë me kosto të rritura”.
“Dje, situata me energjinë elektrike në shumë fshatra të Rahovecit dhe në qytet ka qenë e rënduar. Me orë të tëra nuk ka pasur furnizim. Situatë e njëjtë, me gjasë, është edhe në rajone të tjera”, shtoi ai.
Hoti tha se e kanë ngritur në vazhdimësi këtë problem, por situata nuk po përmirësohet. “Papërgjegjësi totale. Menaxhimi i situatës nga ana e KEDS-it është i papranueshëm”.
Ai ka përmendur edhe një sërë çështjesh tjera. Marrëveshja e Uashingtonit nuk është zbatuar dhe rrjedhimisht thotë se centrali me gaz nuk u ndërtua.
“Kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ u anulua dhe shteti është detyruar të paguajë 20 milionë euro penalti”.
“Çmimi i energjisë elektrike u rrit disa herë, duke rënduar koston e jetës së qytetarëve. Nxjerrja e bizneseve në tregun e hapur energjetik pa krijuar kushtet e nevojshme ka bërë që rreth 1000 kompani të furnizohen me energji rreth tri herë më shtrenjtë se sa kanë paguar më parë”.
Kjo, siç thotë ai, ka rezultuar me rritje të kostove të prodhimit për bizneset, “këto kosto janë bartur në çmimet e produkteve, duke rritur kështu koston e shportës për qytetarët”, shtoi ai.
Sipas Hotit, e gjithë kjo situatë ka bërë që importi i energjisë në këtë vit të jetë afër 1 miliard euro, të cilat janë paguar nga qytetarët dhe bizneset përmes tarifave të rritura të energjisë.
“Si mund të arsyetohet kjo situatë? Kush ka interes nga bllokimi i zhvillimit të sektorit energjetik në Kosovë? Pse janë ndërprerë projektet e qeverive paraprake? Pse janë rritur tarifat tri herë? Pse janë nxjerrë në treg të hapur bizneset pa përgatitjet e nevojshme? Pse tani ato u nxorën në treg të hapur?”, pyet ai.
Hoti potencon se këto janë çështje që duhet të marrin përgjigje dhe “do të marrin përgjigje”.









