Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se refuzimi i gazit amerikan është kauzë për të protestuar deri në rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
“Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit”, shkroi Hoti në Facebook të enjten.
Ai pati kritika edhe për disa opozitarë të cilët, sipas tij, po e tejkalojnë këtë çështje me lehtësi.
“Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh”.
“Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.
“Heshtja përballë një dëmi të tillë”, konsideron ai, “nuk është neutralitet – është bashkëfajësi”.
“Kauzë për të protestuar deri në largimin e qeverisë ka qenë gjithashtu edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23’ në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator 2025”, vlerëson ai.
Pjesë të fajit, Hoti i lë edhe opozitës, për të cilën thekson se kur organizohet rreth kapjes së pozitave, rezultati i zgjedhjeve është ai që ishte të dielën e 7 qershorit, në të cilat fitoi sërish Vetëvendosje.
“Por, kur i gjithë aktiviteti opozitar organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, e jo rreth kauzave dhe interesit shtetëror, atëherë rezultati i zgjedhjeve është ky që e pamë të dielën e kaluar – rezultat që në përpikëri reflekton politikën pa kauzë shtetërore, pa vizion dhe pa guxim”, potencoi ai ndër të tjera.
Kryeministri Kurti ka hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë. Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.
“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kiloëolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në intervistën e dhënë në RTK një ditë para zgjedhjeve.









