Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se varreza masive në Zubin Potok kërkon hetim serioz profesional dhe angazhim të pandalshëm për të detyruar Serbinë që të hapë arkivat ushtarake për të treguar vendndodhjen e trupave.
“Varreza masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut kërkon hetim serioz, profesional dhe angazhim të pandalshëm për të detyruar Serbinë që të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave”, shkroi ai në Facebook.
Zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit, Haradinaj theksoi se “është detyrë e jona kombëtare”. “Të pagjeturit janë plaga më e madhe e shoqërisë sonë”.
Nuk mund të ketë paqe të plotë, thotë ai, pa u zbardhur fati i secilit të zhdukur. “Në çdo tryezë diskutimi kjo duhet të jetë tema kryesore për t’ia rikujtuar Serbisë krimet e saj, duke kërkuar me vendosmëri drejtësi për viktimat dhe përgjigje për familjet që presin prej vitesh”.
Në zonën e fshatit Kalludër e Vogël në Zubin Potok, nisën gërmimet pasi që dyshohet që në një pjesë aty të ketë një varrezë masive me viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se me kërkesë të këtij institucioni dhe me urdhër të Gjykatës “ka nisur zhvarrosja dhe identifikimi i mbetjeve mortore në atë zonë”.









