Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj një personi, me inicialet S.A., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në Komunën e Gjilanit.

“I pandehuri S.A., akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatinë Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, më 30 prill të vitit 1999, rreth orës 13:00, S.A, “ka marrë pjesë në vrasjen e  trembëdhjetë (13) civilëve dhe në plagosjen e katër (4) personave të tjerë”.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një”.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës mbajtjen e gjykimit në mungesë, “meqenëse i  pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë”.