Ky lajm është përditësuar.
Pesë persona janë arrestuar si të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile të dielën gjatë një operacioni policor të koduar me emrin “SYRIGANA”, që është zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale. Të arrestuarit dyshohen për vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë të Skenderajt në periudhën maj-qershor 1998.
“Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës së bashku me Prokurorinë Speciale, pas një pune intensive dhe hetimi profesional, kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me vrasjen e gjashtë (6) civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aty theksohet se gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
“Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin special, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve”.
Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, nga ora 06:00, kanë zhvilluar planin operativ “Syrigana” në gjashtë (6) lokacione të ndara – pesë në Komunën e Skenderajt dhe një në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar.
Gjatë zbatimit të operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar “1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm, 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm, 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm, 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë një rrethatore brezi, uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave”.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.









