Për peshqit me krimba, që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po u thotë qytetarëve hani lirshëm, hiç më larg se në mars të vitit të kaluar, ishte formuar një komision ad-hoc emergjent brenda AUV-it.

I njëjti merrte një vendim, të qartë e preciz, që krimbat “Anisakis” në peshqit e ngrirë të importuar në Kosovë, janë të rrezikshëm për konsum. Për të arritur në konkluzion, anëtarët e Komisionit kishin konsultuar ekspertë të huaj e madje kishin marrë shembujt nga vendet e BE-së. Plot 31 herë ishte urdhëruar që produkti me këtë parazit të hiqej nga tregu.

Rezultati nga Komisioni: Ri-urdhërohej kompania importuese “Delfin L.T.D” që sasinë prej 20 mijë kilogramë peshk me “Anisakis” ose ta kthente në vendin e origjinës, ose ta asgjësonte. Por kështu nuk ndodhi, kompania vazhdoi betejën në gjykata.

Ndonëse e pranojnë se peshku që importuan ka krimba, nga kompania “Delfin L.T.D”, i thanë VOX Kosovës se ai është i sigurt për konsum.

“Ne nuk kemi marrë një vendim të tillë sepse ne jemi kanë të bindun, si importues prej ma të mëdhenj që jem të peshkut në Kosovë, jemi kanë të bindun në bazë të shkresave, në bazë të rekomandimeve të ekspertëve në bazë të shkresave të prodhuesve që ky mall nuk ka kurrfarë  problemi për konsumim. Dhe kur të del prej AVUK-ut vetë dmth edhe deklarim publikisht që malli i sigurt, atëherë kjo është edhe një shtesë që na bind në atë që kemi insistu…Jo, tamon puna me dalë në treg. Malli është i bllokum prej datës që e kanë blloku Agjencioni i Veterinës. Malli është i bllokum në depot tona. Nuk guxon me dalë. Na kem proces, kem proces të AVUK-ut, kem..i bllokum qysh me dalë ai në treg”, thonë nga kompania “Delfin LTD”.

Edhe më e çuditshme se si AUV del e thotë hani peshk me krimba bëhet kur e dëgjojmë çka na tha Enver Demëbogaj, anëtari i Komisionit që vendosi që ky produkt s’duhet të konsumohet. Pra vet ekspert i kësaj Agjencie.

“Me rregull…jo..me rregull ajo nuk guxon me dalë në treg. Ajo u kanë me ndalesë”, shton ai. Unë e kam informatën që dy herë që ka kthy Gjykata, e ka kthy Gjykata vendimin në favor të Agjencionit, edhe kaq..Unë e kam ditë që pastaj kanë me vazhdu procedurat për asgjësim”, shton ai.

Apo Blerim Hajdari, që ishte Kryesues i Komisionit, që rikonfirmon se AUV-i urdhëroi kthimin apo asgjësimin e këtij peshku e thotë se s’ka informata nëse sasia e njëjtë doli në treg.

“Mundësia e parë ju ka dhanë për kthim në vendin e origjinës ose nëse nuk ka mundësi të kthimit, atëherë asgjësimi”, thotë Hajdari.

Me arrogancë, për arsye të panjohura ndërkaq u sollën anëtarët tjerë të Komisionit, Ardian Deshishku e Gentiana Petrova.

Siç e kemi raportuar edhe në videon e parë: Ministri Faton Peci ishte i njohur me çështjen sepse ishte sinjalizuar paraprakisht. Çuditërisht, ndonëse vet ekspertët me vulë morën vendim që peshku me krimbin “Anisakis” është i rrezikshëm për konsum e i përshtatshëm veç për kafshë, Agjencia doli me komunikatë e tha hajeni lirshëm.

Madje e përsëriti njoftimin edhe këtyre ditëve të fundit, po tha gatuajeni në 60 gradë.

Ushqimin e destinuar për kafshë, pushteti në Kosovë po u thotë njerëzve të vet gatuajeni pak më mirë.
Për arsye që mbetet t’i hetojë Prokuroria.

Por kur?