“Tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total”, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pasi që Lëvizja Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën, Ministrin aktual të Punëve të Jashtme, si kandidat për President.

“Në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike. Jo sepse nuk kishte rrugëdalje. Përkundrazi, zgjidhja ishte aty. Mundësia për marrëveshje dhe për zgjedhjen e presidentit ekzistonte”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Por, sipas saj, “Kurti zgjodhi krizën”. “Zgjodhi përplasjen. Zgjodhi interesin e tij politik mbi interesin e shtetit”.

“Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë ndëshkim që po ua imponon ai. Institucionet e shtetit nuk janë pronë e askujt, e aq më pak e një njeriu që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete”.

Kosova, thotë ajo, “është më e madhe se ambicia e kujtdo”.

Pasi që VV-ja njoftoi zyrtarisht se Konjufca do të jetë kandidat, reagoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nga kjo parti thanë se Kosova po rrezikon që të shkojë në zgjedhje të reja, derisa kanë bërë me dije se ata nuk do ta përkrahin Ministrin aktual të Punëve të Jashtme për pozitën e të parit të shtetit.