Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës qëndron në pozicionet e vjetra, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas tij, ka vullnet për bashkëpunim lidhur me krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Këto komente, Konjufca i ka bërë në një konferencë për media të përbashkët me Ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad.

“PDK-ja më shumë qëndron në pozicionet, të cilat i kemi parë ma moti. Ato janë pozicione të vjetra që i kemi pa dhe ato u shprehën edhe në takim me Kryeministrin Kurti”, tha Konjufca.

“Kurse sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës përshtypja jonë është që aty përkundër herave të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga Lidhja Demokratike të Kosovës”.

Çka mbetet të shihet, thekson ai, janë zhvillimet e brendshme në LDK, e cila së shpejti pritet ta mbajë Kuvendin e partisë, ku do të votëbesohet Kryetari, Lumir Abdixhiku.

“Sa i përket bashkëpunimit me neve m’u ka dukur që pas takimit të Kryeministrit Kurti me Presidenten Osmani dhe me zotin Abdixhiku Kryetari i LDK-së m’u ka duk që ka pasë kësaj radhe një tjetër natyrë të diskutimit prej herave të kaluara dhe kjo na ka bërë më optimistë se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”.