Gazetari gjerman, Michael Martens, ka njoftuar se së shpejti do të publikojë një artikull që shpalos deklarata të viteve ’90 të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në të cilat ai shprehet krenar për pjesëmarrjen e tij si vullnetar gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Martens, në një postim në llogarinë e tij në X, shkruan se shumica e këtyre intervistave gjenden në Bibliotekën Kombëtare të Serbisë, pasi kopje digjitale të tyre nuk ekzistojnë në internet.

Sipas Martens, Vuçiç, në këto intervista, e pranon se për një kohë ka qenë edhe te Varrezat Hebraike në Sarajevë – një pikë ushtarake nga ku snajperistët serbë shtinin ndaj qytetarëve – në rrethimin disavjeçar të Sarajevës, i njohur si krim lufte nga Tribunali i Hagës.

“Njeriu që, si vullnetar i ri lufte, ishte i pranishëm të paktën për një kohë në mes të aktiviteteve kriminale në Varrezën Hebraike të Sarajevës, është presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Nuk ishin kundërshtarët e tij që e zbuluan këtë pjesë të biografisë së tij. Ai vetë foli për të disa herë me krenari në intervistat e viteve 1990”, thotë Martens.

Një nga intervistat që përmend Martens është një që Vuçiç paska dhënë për gazetën “Duga” në vitin 1994. Aty Vuçiç pranonte se ishte regjistruar si vullnetar, kur kishte shpërthyer lufta në Bosnje.

“‘Kur shpërtheu lufta në Bosnje, shkova në Sarajevën serbe dhe u regjistrova si vullnetar’, thoshte Vuçiç, duke shtuar se këtë e kishte bërë ‘për të mbrojtur Serbinë’”, shkruan Martens në X.

Martens përmend disa intervista të tjera që Vuçiç kishte dhënë për gazetën partiake “Velika Srbija” të Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit.

Në to Vuçiç, ndër të tjera, pranonte se ka qëndruar për tetë muaj në zonat e Bosnjës që kontrolloheshin prej Serbisë dhe në dy prej këtyre muajve kishte qenë “në vijën e frontit”.

“Nëse mendoni se kam dalë për të mbrojtur kroatët ose myslimanët – jo, dhe nuk më shkon ndër mend të turpërohem për këtë”, është një nga citatet që Martens ka shkëputur nga intervistat e tashmë kryesorit të Serbisë.