Tri ditë pasi e bëri Kryeshef dajën e tij, Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, nuk u përmbajt nga kremta. Me mish e alkool në tavolinë, Prebreza u pa në një fotografi me dajën e tij Ekrem Berjani. Berjani u zgjodh të premten Kryeshef në Ndërmarrjen “Fushë Kosova”, e cila u krijua nga komuna që e udhëheq Prebreza.
Ashtu siç VOX Kosova kishte raportuar, Ekrem Berjani, daja i Kryetarit të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, të premten e 26 qershorit është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Fushë Kosova” të formuar rishtazi. Ndërmarrja në fjalë është në pronësi të plotë të Komunës së Fushë Kosovës që udhëhiqet nga Valon Prebreza, që është nipi i Berjanit.
Sipas njoftimit të Bordit të “NPL Fushë Kosova”, Berjani është renditur i pari, para kundërkandidatëve: Ilir Hasani, Afrim Krasniqi, Bujar Budeci e Erblin Grajçevci.
Në komunikimin që mediumi kishte pasur me Berjanin, ky i fundit ishte shprehur i lumtur që është daja i Prebrezës, duke thënë se s’ka konflikt interesi nëse ai emërohet.
“I lumtur jam që jam daja, që është nipi im, bash i lumtur jam”.
Por, me gjasë, Berjani, ki harruar që në vitin 2021, ishte denoncuar për keqpërdorim në Prokurori gjatë kohës sa ky ishte drejtor i Zhvillimit Ekonomik në pushtetin e LDK-së.
Denoncimi, besojeni ose jo, vinte nga vetë Vetëvendosje dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Valon Prebrezës, Durim Hajra. Ky i fundit, tash drejtor i Inspektoratit në komunë.








