Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë përsëri seancën për zgjedhjen e Presidentit për shkak të mungesës së kuorumit.

Haxhiu deklaroi se seanca e radhës do të mbahet në ora 23:00, një orë para se të përfundojë afati kushtetues për zgjedhjen e të parti të shtetit. Nëse deri në ora 24:00, nuk zgjidhet Presidenti, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ajo përsëriti refrenin e njëjtë, duke i kërkuar deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancë pasi që pretendon se e kanë obligim kushtetues, ndonëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e ish-Presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, e bëri të qartë se deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit filloi në mbrëmjen e së hënës.

Përkundër se nuk kishte kuorum, pra nuk ishin të pranishëm në sallë 80 deputetë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, Vetëvendosja filloi procedurat për zgjedhjen e Presidentit.

Madje, e mbajtën edhe një raund të votimit, në të cilin, Feride Rushiti mori 63 vota. Pasi numërimit të votave, Kryetarja e Kuvendit, e ndërpreu seancën dhe e shtyu të njëjtën për të martën.

Opozita reagoi ashpër njëzëri ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues” dhe paralajmëruan edhe protesta e masa të tjera kundërshtuese.