Qindra-mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare janë mbledhur në Prishtinë për të protestuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Motoja e protestës është “Drejtësi, Jo Politikë”. Turma e njerëzve fillon nga sheshi “Skënderbe” dhe vazhdon deri te ai “Nënë Tereza”.
Në ballë të protestës është Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, e akterë të tjerë politikë dhe jo vetëm.
Në nisje të protestës ka performuar artisti Lyrical Son. Pas tij, artistja Arbnore Zogjani.
Marshi “Drejtësi, Jo Politikë” zhvillohet në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-Drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-Shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veselit, ish-Inspektorit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka hyrë në fazën finale.
Nga e hëna e 9 shkurtit kanë nisur fjalët përfundimtare të palëve. Fillimisht qëndrimet përfundimtare i ka paraqitur Prokuroria, e cila kërkoi nga 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së – gjë që u kundërshtua ashpër edhe nga krerët e institucioneve në Kosovë e Shqipëri – e më pas mbrojtësi i viktimave.
Pas tij, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, ajo e Kadri Veselit dhe ajo e Rexhep Selimit. Ajo e Jakup Krasniqit filloi të premten dhe përfundoi dje (e hënë, 16 shkurt).
Më pas, trupi gjykues vazhdoi për dy orë parashtrimin e pyetjeve për palët dhe më vonë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ndërsa, më 18 shkurt (nesër), në ditën e fundit të paraqitjes së qëndrimeve finale, fjalët përfundimtare do t’i thonë edhe katërshja e UÇK-së. Ata do t’i kenë nga 20 minuta në dispozicion.
Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në javën kur filluan fjalët përfundimtare, më 12 shkurt përkatësisht, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.
Nga njohësit e çështjeve juridike si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.
Kundër procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe disa protesta të tjera – në Prishtinë, Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup – të cilat janë organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalë nga Lufta e UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për këto akuza, ata janë deklaruar plotësisht të pafajshëm.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-s, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.








