“Ne nuk jemi kundër punësimit, por jemi kundër punësimeve familjare edhe shkel e shko… “.

Qemajl Aliu – Kryetari i Komunës së Shtimes nga radhët e Vetëvendosjes – premtoi se do ta çlironte Shtimen nga korrupsioni, krimi e nepotizmi.

Por, pasi që konsolidoi pushtetin, komuna ku ai udhëheqë është mbushur me familjarë të tij. Natyrisht, edhe me mbiemër Aliu.

Nebahate Beqa është punësuar si edukatore në Shkollën “EminDuraku” në Shtime më 26 janar 2026.

Nebahatja është motra e Qemajl Aliut.

VOX Kosova kontaktoi me motrën e Kryetarit, por sapo e dëgjoi pyetjen, ajo e ndali telefonin.

Disa muaj më pas, punësohet edhe mbesa e Aliut.

Albina Aliu, vajza e vëllait të Kryetarit, më 5 maj 2026, u punësua si Doktore e Mjekësisë së Përgjithshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Vezir Bajrami” në Shtime.

VOX-i kontakoi edhe me Albina Aliun, por sapo iu prezantuam e ndali telefonin.

Historia e punësimeve të familjarëve të Qemajl Aliut është e gjatë. 

Është një listë e tërë e njerëzve të afërt që janë rehatuar në pozita publike.

Para se motra Nebahatja të punësohej si edukatore, burri i saj, Bujar Beqa gjeti punë në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, në Shtime, në vitin 2024.

Mundësitë u hapen edhe për nipat. 

Agon Aliu, djali i vëllait të Kryetarit, u punësua si doktor në QKMF-në e Shtimes në shkurt të vitit 2024.

VOX Kosova provoi që të marrë një përgjigje edhe nga Kryetari Qemajl Aliu, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të redaksisë.

Kur i fitoi zgjedhjet për herë të parë në 2021, Qemajl Aliu u vetëshpall si çlirimtar i Shtimes. 

Por, me gjasë ai e paska çliruar terrenin për të punësuar familjarët e tij nëpër institucione publike.