Një grup i studentëve të Kosovës kanë protestuar këtë të premte para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, për t’i dhënë mbështetje kërkesave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Ne si studentë konsiderojmë që studentët kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit në gjuhën që ata e njohin më mirë”, ka thënë njëra nga protestueset.
“Gjuha shqipe të mos mohohet dhe mos të trajtohet si privilegj”, ka thënë një përfaqësuese tjetër, e cila pasi shtoi se “jo rastësisht sot kam me vete flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ngjalli brohoritma nga turma e mbledhur para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë.
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut tash e një kohë po protestojnë në Shkup me kërkesë që shqiptarëve që i nënshtrohen provimit të jurisprudencës në Maqedoni të Veriut t’u mundësohet ta bëjnë në shqip.
Kërkesa e tyre është përkrahur nga shqiptarë të të gjitha vendeve, organizata të shoqërisë civile e parti politike.









