Kandidatët e Listës Serbe nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në mbledhjen që u mbajt sot (e enjte), kjo parti mori dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime.
Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, anëtarë të VV-së në KQZ publikuan dokumente që sipas tyre tregojnë se kandidatë të Listës Serbe kanë pozita në organet paralele serbe në Kosovë. Një nga ta, siç thotë Vetëvendosje është Sasha Millosheviq, kandidat i këtij subjekti për kryetar të Novobërdës. Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës thanë se informatat që ka Vetëvendosje duhet t’i ofrohen KQZ-së përmes institucioneve të sigurisë.
Për këtë çështje, më herët gjatë ditës në Zyrën e Kryeministrit Kurti shkoi e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati. Ajo pas takimit me të parin e qeverisë në detyrë tha se “folën për tentativën e përjashtimit të partive politike nga procesi zgjedhor”. Prattipati nënvizoi se “serbët duhet të jenë të përfshirë në këtë proces”.









