Materiali zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale është shpërndarë me kohë në të të gjitha qendrat e votimit, derisa edhe procesi i votimit ka filluar në të gjitha qendrat e votimit, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
“Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet është shpërndarë me kohë për në të gjitha qendrat e votimit”, tha Elezi në një konferencë për media.
“Duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave ka nisur nëpër të gjitha qendrat e votimit që i takojnë këtyre komunave”, shtoi.
Ndryshe, sot është duke u zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë. Në raundin e parë, me 12 tetor, 20 komuna zgjodhën kryetarin e tyre, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin sot (e diel, 9 nëntor).
Të drejtë vote në këto 18 komuna kanë 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë. Numri i votuesve është i shpërndarë në 507 qendra votimi, me gjithsej 1 mijë e 628 vendvotime.
Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Qendrat e votimit do të mbyllen në ora 19:00.









