Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë thënë se janë thellësisht të shqetësuar nga paralajmërimi i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për mbylljen e emisionit Debat Plus. Ata kanë theksuar se KPM-ja është vënë tërësisht në funksion të politikave të Vetëvendosjes dhe Qeverisë.

Nënkryetarja e KPM-së, Drita Morina, propozoi që në mbledhjen e radhës të diskutohet mbyllja e emisionit Debat Plus në TV Dukagjini.

AGK e ka vlerësuar këtë deklaratë “si të papranueshme, të papërgjegjshme dhe si sulm frontal ndaj lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”. “Diskutimi i sotëm është vazhdimësi e vendimeve të pabaza ndëshkuese kundër mediave në ditët e fundit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ata kanë theksuar se nuk është në kompetencën e KPM-së të dënojë mediat dhe gazetarët për shkak të debatit dhe deklaratave të të ftuarve.

“Vendimet e paprecedentë me gjoba nga përbërja e re e KPM-së vërtetojnë alarmin e ngritur nga AGK-ja dhe shoqëria civile se KPM-ja është vënë tërësisht në funksion të politikave të Vetëvendosjes dhe Qeverisë, të cilat synojnë intimidimin e mediave dhe gazetarëve”.

“Liria e medias dhe e shprehjes është e drejtë e garantuar në Kosovë, ndërsa pluralizmi mediatik është vlerë që asnjë vendim i KPM-së nuk mund ta zhbëjë”.

AGK-ja i ka bërë thirrje KPM-së që të heqë dorë menjëherë nga praktika e ndëshkimit të mediave dhe ta kryejë punën e saj brenda kompetencave që ka.