Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nëse në këtë periudhë kohore shkohet në zgjedhje të reja, “rezultati i tyre do të jetë i njëjtë”. Siç u shpreh i pari i Vetëvendosjes në konferencën e sotme për media, mbajtja e një procesi elektoral të ri, do të kishte kosto ekonomike milionëshe për Kosovën dhe “nuk do të prodhonte kurrfarë rezultati të ri”.

“Nuk mund të presim që të fillojmë zgjedhjet e reja në fushata të përsëritura ku tash duhet të themi që unë i marr 80 deputetë së paku. Pra, nuk është çështja te 61-shi është çështja te 80 – shi, që i bie dy të tretat dhe në këtë situatë unë nuk besoj që zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje e re. Përkundrazi do të jetë njëlloj vazhdimi të agonisë legjislative, institucionale në përgjithësi, që është e panevojshme, përveçse e padrejtë. Dhe së paku zgjedhjet do të kushtojnë nja 10 milionë euro. Vështirë të nxjerremi edhe me një palë zgjedhje të tjera pa 10 milionë euro. Për ta përsëritur rezultatin. Mund të ketë ndonjë lëvizje, të vogël, por unë nuk shoh diferenca të mëdha”, tha Kurti.

“Unë më herët kam pa gatishmëri për zgjedhje por nuk kam parë zell për zgjedhje të reja të përsëritura. Tash po shoh edhe zell edhe zell për zgjedhje të reja të përsëritura, të cilët do të na marrin kohë më shumë. Do të mund të jenë zgjedhje, nuk do shoh qysh tash se qysh do të mund të jenë edhe zgjidhje për shkak se bëhet fjalë për kuorumin prej 80 deputetëve në sallë që duhet ta sigurojmë bashkarisht të gjithë”, shtoi.

Konferenca e kryeministrit Kurti vjen pas dekretit për shpërbërje të Kuvendit të nxjerrur nga Presidentja Vjosa Osmani, i cili u kundërshtua nga Vetëvendosje.