Tifozët e Kosovës që sot do të përkrahin kombëtaren e futbollit në stadiumin “Stožice” në Lubjanë janë të obliguar të ndjekin disa rregulla të veçanta të organizimit dhe sigurisë, vendosur nga stafi i këtij stadiumi.

Ndeshja fillon në orën nëntë pa 15 minuta, por dyert do të hapen qysh nga ora 18:45, në mënyrë që të shmangen tollovi apo pengesa të tjera e në mënyrë që hyrja në stadium të jetë sa më e lehtë.

Udhëzimi kryesor duket të jetë ai për kufizimin e përdorimit të simboleve kombëtare. Tifozëve të Kosovës do t’u lejohet të mbajnë flamuj dhe simbole të tjera vetëm në sektorin D, zona e posaçme për Dardanët.

Çdo tifoz që hyn në sektorët e tjerë; A, B e C, do të obligohet të depozitojë simbolet kosovare në një hapësirë të veçantë e të përpiqet të hyjë serish.

Interesimi i lartë për lojën nga tifozët e Kosovës brenda vendit, atyre në Slloveni dhe çdo kund tjetër nëpër Evropë, ka ngritur pritshmërinë se stadiumi me kapacitet 16 mijë vende të mbushet me shumicë nga tifozët e Kosovës.

Kujtojmë se një barazim potencial me Slloveninë i siguron Kosovës një vend në ciklin e play off-it për kualifikime në botërorin e vitit 2026. Ky fakt e kthen këtë lojë në një nga më të rëndësishmeve në histori të kombëtares.