Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe një herë i ka thënë JO, gazit amerikan në Kosovë, megjithëse ka thënë se Qeveria po shqyrton mundësinë e furnizimit me gaz të lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Shqipërisë dhe termocentralit të Vlorës.
Deklaratën ai e bëri gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e parkut solar me kapacitet prej 105 megavatësh në Kramovik të Rahovecit.
“Po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha Kurti.
Deklarata vjen pasi administrata amerikane prej vitesh ka kërkuar që Kosova t’i bashkohet projektit për gazin amerikan, duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme që gazi natyror i lëngëzuar (LNG) të hyjë drejtpërdrejt në Kosovë përmes gazsjellësit rajonal.
Megjithatë, Qeveria Kurti e ka refuzuar vazhdimisht këtë projekt. Në vitin 2021, ajo hoqi dorë nga projekti i gazsjellësit, me arsyetimin se prioritet do të kishin investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Kohëve të fundit është intensifikuar kërkesa amerikane për këtë projekt duka ia kujtuar Qeverisë Kurti se gjatë mandatit të saj ka shpenzuar rreth 1 miliard euro në blerje të energjisë.









