Ka filluar procesi i votimit në të gjithë Kosovën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
I pari që ka votuar është Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në qendrën e tij të votimit në Pejë.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”, tha Radoniqi për gazetarë pas votimit.
“Për këtë ditë KQZ-ja ka qenë e angazhuar që nga shpallja e ditës së zgjedhjeve për përgatitjet dhe të gjitha përgatitjet gati kanë përfunduar. Pas kësaj dite fillon edhe numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. Në ora 7 ka filluar procesi zgjedhor dhe besoj se në të gjithë territorin ka filluar procesi në orën 07:00”, shtoi ai.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote brenda dhe jashtë vendi kanë 2 milionë e 92 mijë e 174 qytetarë. Prej tyre, 22 mijë e 685 janë votues që marrin pjesë për herë të parë në proces zgjedhor.
Gjithsej, janë 949 qendra të votimit me 2 mijë e 550 vendvotime në të gjithë Kosovën dhe materiali zgjedhor është shpërndarë në të gjitha prej tyre, ka konfirmuar KQZ.
Për organizimin e zgjedhjeve, Qeveria në detyrë kishte ndarë 10.9 milionë euro.
Në garë janë 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë për deputetë.
I tërë procesi do të monitorohet nga rreth 16 mijë e 600 vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, organizatat joqeveritare, mediat, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike.
Zgjedhjet që po mbahen këtë të diel, janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.
Këto zgjedhje janë duke u mbajtur pasi që deputetët e legjislaturës së 10-të nuk e zgjodhën Presidentin.









