Mike Pompeo, ish-Sekretar Amerikan i Shtetit gjatë Presidencës së parë të Donald Trump-it, ka përmendur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, për të mbështetur sulmet amerikane ndaj Iranit.

Në një shkrim të titulluar “Paqe përmes fuqisë: Pse goditja e makinerisë së luftës së Iranit është njëkohësisht e ligjshme dhe e domosdoshme”, Pompeo ka kujtuar sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, të cilat thekson se kishin goditur rrjetin energjetik në Beograd për të thyer komandën dhe kontrollin e Sllobodan Millosheviç-it.

Ai thekson se shumë kritikë të ndërhyrjes amerikane në Iran e kishin mbështetur fushatën e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe.

“Ata që tronditen nga goditja e infrastrukturës industriale duhet të rifreskojnë njohuritë e tyre historike. Kjo nuk është ndonjë devijim radikal nga normat ndërkombëtare. Është një metodë e provuar – një metodë që ka përfunduar konflikte dhe ka shpëtuar jetë”, shkroi Pompeo.

“Gjatë fushatës në Kosovë në fund të viteve ’90, forcat e NATO-s – të mbështetura me entuziazëm nga shumë prej kritikëve më të zëshëm të sotëm – goditën rrjetin energjetik në Beograd për të thyer komandën dhe kontrollin e Millosheviçit. Në Luftën e Dytë Botërore, ne nuk u kufizuam vetëm te tanket në vijën e frontit. Ne goditëm fabrikat e kushinetave në Schëeinfurt dhe rafineritë e naftës që mbanin në funksion makinerinë naziste të luftës, sepse e kuptonim se nuk mund të mposhtësh një agresor duke lënë të paprekur zemrën e tij industriale”, shtoi ai.

Komuniteti ndërkombëtar, sipas tij, e ka pranuar në të dy rastet se “goditja e ‘sistemit nervor’ të një shteti armiqësor nuk është vetëm e ligjshme – është e domosdoshme”.

Ish-Sekretari Amerikan thekson tutje se regjimi iranian ka qenë në luftë me Perendimin që nga viti 1979, që nga koha Ajetollahët morën pushtetin.

“Për gati 50 vjet, ata kanë përdorur infrastrukturën e tyre për të eksportuar dhunë dhe destabilitet. Presidenti Trump po dërgon një mesazh që nuk mund të keqkuptohet – drejt Teheranit dhe çdo regjimi tjetër që llogarit nëse Amerika ka vullnetin për të vepruar”, pohon ai ndër të tjera.

Opinioni i plotë i Pompeo-t:

Paqe përmes fuqisë: Pse goditja e makinerisë së luftës së Iranit është njëkohësisht e ligjshme dhe e domosdoshme

Për dekada me radhë, regjimi radikal në Teheran ka vepruar nën iluzionin se mund të përhapë kaos në të gjithë Lindjen e Mesme, të negociojë më mirë se Shtetet e Bashkuara, të financojë terrorizmin global dhe të ndjekë ambicie bërthamore pa u përballur me pasoja reale. Nën udhëheqjen vendimtare të Presidentit Trump, ajo epokë e injorimit të problemit dhe 47 vitet e luftës iraniane kundër botës kanë marrë fund.

Sulmet e fundit të kufizuara ndaj infrastrukturës iraniane – centraleve elektrike dhe urave – (së bashku me kërcënimin për zgjerimin e tyre) kanë shkaktuar, siç pritej, reagime të ashpra nga ata që fajësojnë gjithmonë Amerikën të parën. Ata po përdorin termin “krim lufte” me të njëjtën pakujdesi që shfaqin në çdo diskutim për fuqinë amerikane. Le të jem i drejtpërdrejtë: Ata gabojnë si në aspektin ligjor, ashtu edhe në strategji.

Parimi themelor i Ligjit të Konfliktit të Armatosur është dallimi – detyrimi për të diferencuar mes objekteve thjesht civile dhe objektivave legjitime ushtarake. Por fusha moderne e betejës nuk ofron kufij të pastër.

Rrjetet energjetike dhe urat e transportit janë objektiva tipikë me përdorim të dyfishtë. E njëjta energji elektrike që ndriçon shtëpitë në Teheran furnizon edhe centrifugat në Natanz dhe qendrat komanduese të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Të njëjtat ura që mbajnë tregtinë, përdoren edhe për transportin e raketave balistike që synojnë aleatët tanë dhe Ngushticën e Hormuzit.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, kur një objekt kontribuon në mënyrë efektive në veprime ushtarake, ai humb statusin e mbrojtur dhe bëhet objektiv i ligjshëm ushtarak. Dobësimi i aftësisë së Iranit për të lëvizur forcat dhe për të furnizuar makinerinë e tij të luftës nuk është sulm ndaj popullit iranian – është çmontim i mjeteve që shtypësit e tyre përdorin kundër tyre.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara është forca më etike luftarake në historinë e botës. Ndryshe nga IRGC – e cila fshihet pas civilëve të vet dhe shënjestron transportin ndërkombëtar pa hezitim – komandantët tanë veprojnë sipas rregullave të rrepta të angazhimit. Kam besim të plotë se burrat dhe gratë që zbatojnë këto misione janë në përputhje të plotë me ligjet e konfliktit të armatosur. Çdo objektiv verifikohet. Çdo goditje lidhet me një efekt të caktuar strategjik.

Ata që tronditen nga goditja e infrastrukturës industriale duhet të rifreskojnë njohuritë e tyre historike. Kjo nuk është ndonjë devijim radikal nga normat ndërkombëtare. Është një metodë e provuar – një metodë që ka përfunduar konflikte dhe ka shpëtuar jetë.

Gjatë fushatës në Kosovë në fund të viteve ’90, forcat e NATO-s – të mbështetura me entuziazëm nga shumë prej kritikëve më të zëshëm të sotëm – goditën rrjetin energjetik në Beograd për të thyer komandën dhe kontrollin e Millosheviçit. Në Luftën e Dytë Botërore, ne nuk u kufizuam vetëm te tanket në vijën e frontit. Ne goditëm fabrikat e kushinetave në Schëeinfurt dhe rafineritë e naftës që mbanin në funksion makinerinë naziste të luftës, sepse e kuptonim se nuk mund të mposhtësh një agresor duke lënë të paprekur zemrën e tij industriale.

Komuniteti ndërkombëtar e ka pranuar në të dy rastet se goditja e “sistemit nervor” të një shteti armiqësor nuk është vetëm e ligjshme – është e domosdoshme.

Regjimi iranian ka qenë në luftë me Perëndimin që nga viti 1979. Për gati 50 vjet, ata kanë përdorur infrastrukturën e tyre për të eksportuar dhunë dhe destabilitet. Presidenti Trump po dërgon një mesazh që nuk mund të keqkuptohet – drejt Teheranit dhe çdo regjimi tjetër që llogarit nëse Amerika ka vullnetin për të vepruar.

Ne duam një botë ku populli iranian është i lirë dhe fqinjët e tij janë të sigurt. Kjo botë nuk ndërtohet duke përkëdhelur tiranët apo duke pretenduar se logjistika e tyre nuk ka rëndësi. Ajo ndërtohet përmes qartësisë morale, bazës së fortë ligjore dhe zbatimit pa kompromis të fuqisë amerikane.