Në Prishtinë, në sheshin “Nënë Tereza”, është vendosur ekrani që tregon numërimin së prapthi për 16 shtatorin, datën kur do të merret vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Butonin për të filluar numërimin së prapthi e shtypi djali i Rexhep Selimit, Aris Selimi, ai i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati dhe përfaqësuesit e Platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli.
Hamza theksoi se ky ekran është simbol i pritjes në Prishtinë, derisa bëri me dije se të ngjashëm do të vendosen edhe në komuna tjera. Ai potencoi se afrimi i 16 shtatorit nuk duhet ta zbehë kujtesën për luftën dhe sakrificën e UÇK-së.
“Ekrane të ngjashme do të vendosen gjithandej Kosovës, sepse këto janë më shumë se ekrane. Janë mesazh. Një mesazh për familjet që presin. Një mesazh për ata që janë në Hagë. Dhe një mesazh për gjithë botën që Kosova nuk harron. Nuk harron kush luftoi. Nuk harron kush sakrifikoi. Nuk harron kush negocioi në Rambuje. Nuk harron kush e siguroi ndërhyrjen e NATO-s. Nuk harron kush e bëri Kosovën të lirë, të pavarur dhe të integruar në botë”, deklaroi kreu i PDK-së.
Tasholli nga ana tjetër tha se “orët e zorshme të një shoqërie janë ato orët epike që numërohen nga mbrapa”. “Dhe ne po shpresojmë që me 16 shtator, ora e mbrapshtë do të fillojë mbarë. Sepse, ka kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha”, pohoi ai ndër të tjera.
Të premten, Liria ka Emër njoftoi se do të organizojnë “Marshin e Lirisë” më 12 shtator, katër ditë para shpalljes së vendimit për krerët e UÇK-së.
Ata njoftuan se që nga e shtuna e 22 gushtit e deri më 16 shtator do të organizojnë çdo ditë aktivitete në mbështetje të katërshes së UÇK-së.








