Nënkryetarja e Prishtinës Besianë Musmurati, ka treguar se do ta vendosin një ekran të madh në sheshin “Skëndërbeu” për të ndjekur live seancën gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 16 shtator, ku do të shpallet aktgjykimi ndaj tyre.
“Po do ta organizojmë një ekran të madh në sheshin Skënderbeu, ku do të ftojmë qytetarët që ta ndjekim live seancën gjyqësore. Edhe shpresoj shumë që pas seancës të festojmë të gjithë së bashku ose në të kundërtën nuk do të ketë qetësi as në Prishtinë edhe nuk besoj që do të ketë qetësi askund në Kosovë”, ka thënë Musmurati për Ekonomia Online.
Ajo potencoi se shpresojnë që do të ketë një vendim të drejtë dhe të duhur “në favor të liderëve tanë që po mbahen atje”. “Organizimin besoj që do ta bëjmë bashkë me organizatën e veteranëve të UÇK-së, edhe do të thotë do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, për të gjithë mediat që të ulemi edhe ta shikojmë edhe dëgjojmë seancën së bashku”, tha ajo.
Musmurati po ashtu ka ftuar qytetarët që të bashkohen në Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, në ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu”.
“Por, kryesorja është 12 shtatori, pra marshi, i cili organizohet nga ‘Liria ka emër’, të cilin do ta mbështesim fuqishëm si Qytet i Prishtinës edhe ku do të marrin pjesë të gjithë, do të thotë, edhe ftoj me marrë pjesë gjithë qytetarët e Prishtinës. Marshi mbahet me datën 12, pra të shtunën në orën 14:00, në sheshin Skënderbe, dhe të gjitha përgatitjet po i bëjmë për marsh”, shtoi ajo.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i 2020-së.
Gjykata Speciale i akuzon ata për krime të pretenduara lufte. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit.
Nga ana tjetër, krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.









