Si vit i humbur për Kosovën është konsideruar 2025-ta në draft-raportin e përpiluar nga Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, për shkak të krizës politike që u krijua vitin e kaluar.

“Në përgjithësi, 2025-a duhet të konsiderohet vit i humbur për Kosovën, pasi për shkak të zgjedhjeve të rregullta në shkurt, as trupi legjislativ as Qeveria nuk erdhën në funksion. Edhe pse tri palë zgjedhjet, që u zhvilluan më 2025 – dy parlamentare dhe një lokale – u zhvilluan të gjitha në mënyrë paqësore, procesi normal politik u ndërpre thellësisht. Si rezultat, disa reforma politike dhe ekonomike e pësuan, dhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor nuk mund të zbatohej”, thuhet në draft-raport.

Në draft-raport përmendet edhe dialogu me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ky proces, thuhet aty, nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

“Në thelb, dialogu ishte pothuajse i pezulluar gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe për shkak se Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe autoritet, dhe negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë. Komisioni Evropian, si dhe Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, duhet patjetër të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë me energji të re. Prandaj, zgjatja e mandatit të Përfaqësuesit Special, Peter Sorensen, deri në shkurt 2028, është shumë e mirëpritur”, thuhet tutje.

Aty theksohet se ka përparime në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike e mbrojtje të të drejtave themelore, por si sfida janë përmendur reforma gjyqësore, efikasiteti i administratës publike dhe digjitalizimi i shërbimeve publike.

Përmedet edhe liria e medias, ku shprehet keqardhje për mungesën e progresit të garantimit të lirisë së shprehjes.

“Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, por shpreh keqardhje për mungesën e progresit në garantimin e lirisë së shprehjes; shpreh keqardhje që renditja e Kosovës për lirinë e mediave ka rënë me 24 vende, duke zbritur në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025”.

Në draft-raport theksohet edhe se masat ndëshkuese të BE-së kanë pasur ndikim shumë negativ në procesin e Kosovës drejt Evropës, derisa është konsideruar se për shkak të këtyre masave ekziston rreziku që mbështetja për BE-në në Kosovë të zbehet.

Ky draft-raport i Terras-it do të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) më 16-17 mars.