Kosova ka shënuar një rënie të ndjeshme në renditjen e raportit vjetor të Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Elektorale (International IDEA).
Publikimi i këtij instituti, i quajtur “The Global State of Democracy 2025: Democracy on the Move”, liston shtetet në disa fusha të demokracisë. Kosova, përveç në atë të drejtave të njeriut, ka rënë ndjeshëm në të gjitha.
Në kategorinë e parë të këtij raporti, përfaqësimin, Kosova renditet e 68-ta me radhë. Kjo përbën një rënie prej 6 pozitash nga listimet e kaluara. Kjo kategori është e vetmja në të cilën Kosova radhitet e para nga rajoni.

Në kategorinë e dytë, të drejtat e njeriut, edhe pse me ngritje prej dy pozitash, Kosova renditet e 75-ta. Krahasuar me vendet e rajonit, në këtë kategori, Kosova është e parafundit në rajon dhe lë pas vetes vetëm Bosnjën e Hercegovinën.

Rënien më të thellë, Kosova e ka pasur në kategorinë e sundimit të ligjit. Në këtë kategori, Kosova renditet e 72-ta, hiç më pak se 18 pozita më poshtë se në listimet e mëparshme. Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova është afër më Serbinë e Shqipërinë, që radhiten 73 dhe 74 respektivisht. Pas tyre vijnë Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

E në kategorinë e fundit, pjesëmarrja në demokraci, Kosova pasi ka rënë për tetë pozita nga herat e kaluara, këtë vit renditet e 102-ta. Në këtë kategori, Kosova renditet e fundit në rajon, me Malin e Zi në pozicionin e 68-të, Maqedoninë e Veriut në atë të 78-të, Shqipërinë në atë të 82-të, Serbinë në atë të 93-të, e Bosnjën në atë të 101-të.










