Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për këngën nacionaliste serbe kundër Kosovës që u interpretua në Bruksel, në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ngjarje e organizuar nga Komisioni Evropian, nën udhëheqjen e Kos-it.
“Më vjen keq për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve”, tha Kos.
Kos theksoi se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimin e Komisionit Evropian ndaj Kosovës dhe historisë së saj.
Ajo tha se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës dhe theksoi rëndësinë e pajtimit, pa harruar dallimet dhe përvojat historike.
“Ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, tha Kos, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Kënga nacionaliste serbe “Sa Kosova zora sviće”, që në shqip i bie “Nga Kosova zbardh agimi”, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kënga nacionaliste serbe u interpretua në një koncert që synonte të promovonte bashkimin e kulturave evropiane, më 15 nëntor.









