Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, nuk janë paraqitur të mërkurën në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në procesin gjyqësor kundër tyre.
Mujka e Muzliukaj akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Mujka akuzohet edhe për “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë”.
Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj nuk janë paraqitur në seancën e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Përveç të akuzuarve, në seancë kanë munguar edhe avokatët e tyre. Gjyqtarja Violeta Namani Hajra e ka arsyetuar mungesën e avokatit të Mujkës, Xhafer Tahiri, për shkak të problemeve shëndetësore të një familjari të tij.
Për avokatin e Muzliukaj, gjyqtarja ka thënë se e ka arsyetuar mungesën e tij me një senacë tjetër, në të njëjtën gjykatë.
Seanca fillestare është shtyrë për 20 tetor, në ora 09:00.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shumën mbi 125 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”.