Valdrin Dervishaj, ish-këshilltar i ish-Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, i ka thënë Ministrit të ri të kësaj Ministrie, Hajrulla Çekut, se në këtë dikaster “vetëm në recepsion nuk ka aktakuzë” për korrupsion, derisa ia ka numëruar disa prej zyrtarëve që po përballen me aktakuza me korrupsion.
“Mirëmengjes Ministër Hajrulla Çeku. Sot, kur të shkoni në zyrë, do t’ju presë një sekretare në aktakuzë për korrupsion prej 4 milionë eurosh. Ky është vetëm një nga shumë rastet në proces”, shkroi Dervishaj në Facebook, derisa vazhdoi t’ia tregojë edhe zyrtarët e tjerë që kanë aktakuza.
“Do t’ju presë edhe një zyrtar i prokurimit me aktakuzë për korrupsion. Do t’ju presë udhëheqësi i financave me aktakuzë për korrupsion. Do t’ju presë edhe përgjegjësi për ekzekutim me aktakuzë.
Ai i ka thënë Çekut se “nuk ka mbarësi me njerëz me aktakuzë për korrupsion, që i kanë transferuar biznesit 400 mijë euro në llogari për qejf dhe kanë blerë shportë rreth 200 euro (lexo shportë, jo kontejner)”.
Duke pasur parasysh këtë, Dervishaj ia ka dhënë 13 sugjerime Ministrit të ri të Arsimit.
“1. Zgjidhni një sekretar/e me integritet. 2. Urgjentisht ligji për tekstet; ky proces duhet të shtetëzohet. 3. Një auditim rrënjësor, nga rregulloret e brendshme deri te ndërtimi i çerdheve. Ka shumë dyshime për keqpërdorim në këtë proces. 4. Vazhdimi i procesit për licencim dhe testim të mësimdhënësve, pa vonesë”.
“ 5. Zbatim strikt i formulës së financimit për universitetet publike dhe statute të reja sipas modelit të UP-së brenda 6 muajsh. 6. Digjitalizim masiv i proceseve me AShI. 7. Rishikim i kurrikulës, i paraprirë nga një hulumtim ndërkombëtar. 8. Vazhdim i mbështetjes për mësimin dual (20–30% e buxhetit shtetëror) dhe zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve”.
“ 9. Hiqni maturën dhe testin e arritshmërisë. Dy procese të kota me kosto të lartë. 10. Kthim masiv i trurit në UP, përmes një skeme të propozuar nga KM. 11. Formoni një ekip të jashtëm, mundësisht ndërkombëtar, të udhëhequr nga një ekspert i kalibrit të Visarit, për të rishikuar të gjitha investimet kapitale”.
“12. Një sistem nacional i centralizuar për LMS dhe SMP, nga çerdhja deri në universitet. 13. Për t’i realizuar të gjitha këto, ju duhet një ekip i shkëlqyer. Prandaj, filloni nga e para”, renditi ai sugjerimet e tij.
Nëse bëhen këto, sipas Dervishajt do ta bënin Çekun “një nga ministrat më të suksesshëm”. “A e dini pse? Sepse asnjë nga ministrat e mëparshëm nuk pati guximin t’i bëjë”.









