Një rokadë e madhe është bërë në administratën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministri Armend Muja e ka ndërruar drejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, sekretarin e ministrisë dhe drejtorin e Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Venera Çerkini, e cila ishte në detyrën e sekretares që nga koha e Faton Pecit, është dërguar si ushtruese e detyrës së Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Çerkini është familjare me ish-presidenten Vjosa Osmani.

Në AUV, sipas vendimit të ministrit Muja, që nuk ka asnjë arsyetim pse po ndodh kjo lëvizje – Çerkini do të qëndrojë si ushtruese e detyrës deri më 1 tetor 2026.

VOX Kosova kishte raportuar kohë më parë për dokumentet dhe bisedat ku Venera Çerkini, familjare e Presidentes Vjosa Osmani, si sekretare ka ndarë kontrata në prapaskenë, jashtë ligjit, duke shkelur procedurat dhe duke larguar me forcë nga rruga çdo zyrtar që refuzoi t’i bindet.

Në vend të saj, si sekretar i ministrisë është emëruar Besim Zogu, që sipas vendimit thuhet se deri tash ka qenë duke e ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtoratit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti.

Për dallim nga vendimi për Çerkinin, ku theksohet edhe data se deri kur e ushtron detyrën në AUV, pra më 1 tetor 2026, në rastin e emërimit të Zogut si sekretar nuk specifikohet data se deri kur do të vazhdojë ta kryejë këtë funksion.

Bekim Hoxha, drejtori i deritanishëm i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është larguar nga kjo pozitë dhe është emëruar drejtor i Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Edhe në rastin e tij theksohet se 1 tetori 2026 është data deri kur vlen ky vendim i emërimit.

Bekim Hoxha është intervistuar kohë më parë nga hetuesia në lidhje me dhënien me qira të fabrikës së mbetjeve shtazore. Për të njëjtën ishte intervistuar për disa orë edhe ish-ministri Faton Peci.

Me lejen e Hoxhës dhe të ish-ministrit Faton Peci, në tregun e Kosovës kishin qarkulluar peshq të ngrirë, të konstatuar se përmbanin krimba.