Wikipedia ka ndryshuar pjesën hyrëse të biografisë së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke hequr përshkrimin “kriminel lufte i dënuar” që ishte vendosur pranë emrit të tij pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë.
Deri para këtij ndryshimi, biografia hapej me fjalinë: “Hashim Thaçi është politikan kosovar dhe kriminel lufte i dënuar”.
Tash, në hyrje të faqes Thaçi prezantohet vetëm si “politikan kosovar”, ndërsa më pas përmenden funksionet që ka mbajtur si kryeministër, ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër dhe president i Kosovës.
Procesi gjyqësor në Hagë nuk është larguar nga biografia. Informacioni për rastin është përfshirë më poshtë në tekst, me shpjegime për procesin dhe aktgjykimin.
Ndryshimi vjen pas reagimeve dhe kundërshtimeve që kishte nxitur formulimi i mëparshëm në Wikipedia.
Për ndryshimin ka reaguar edhe profesori i UBT-së, Blerton Abazi, i cili kishte shpërndarë më herët këtë çështje.
“Pjesa ballore e tekstit u ndryshua, ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit. Nuk është më e mira, por megjithatë në hapje të faqes nuk figuron teksti i mëparshëm”, shkroi Abazi.
Ai në reagimin e tij falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në ndryshimin e tekstit, duke veçuar “grupin e Wikipedia”.









