Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar që të shtyhet Konventa e PDK-së për zgjedhjen e Kryetarit, pasi që ka vlerësuar se një parti serioze “nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër”.
“Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin”, shkroi Hoxhaj në Facebook.
Kjo, në vlerësimin e tij, do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit thotë se kanë qenë të befasishme.
Të enjten, Kryetari në largim i Mitrovicës, Bedri Hamza, shpalli kandidaturën për Kryetar të PDK-së në konventën zgjedhore që do të mbahet të hënën. Hamza e shpalli kandidaturën një ditë pasi që Memli Krasniqi u dorëhoq nga pozita e kreut të partisë.
Por, sipas Hoxhajt, që dikur ka qenë ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së, kjo nguti “nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë”.
“Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në”, shtoi.
Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, Hoxhaj ka kërkuar që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara “të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime”.
Në konferencën për shtyp të Krasniqit ku njoftoi dorëheqjen, ai shprehu publikisht mbështetjen që Hamza të jetë pasues i tij.
Por, Hoxhaj vlerëson se dorëheqja e tij, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, “krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”.
“Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët”, potencoi.
PDK-ja, konsideron Hoxhaj, ka nevojë për “drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh”.
“Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, përfundoi ai.









