Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do të mbajë sot, duke filluar nga ora 16:30, Konventën e Përgjithshme të partisë, ku do të zgjedh Kryetarin e ri të saj. Kjo konventë mbahet pasi Memli Krasniqi, më 12 nëntor, dha dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së.
Një ditë pas dorëheqjes së Krasniqit, Kryetari në largim i Mitrovicës, Bedri Hamza, shpalli kandidaturën e tij për Kryetar të PDK-së.
“Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”, shkroi Hamza në Facebook më 13 nëntor.
Mbështetje për Hamzën dha edhe Krasniqi kur dha dorëheqje, por edhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së PDK-së.
“Preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fshehi, përkundrazi me kënaqësi e bëj publike”, tha Krasniqi.
Deputeti i PDK-së, njëherit ish-ushtrues i detyre i Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, kërkoi që Konventa e paraparë për sot të shtyhet, në mënyrë që edhe ai të jetë kandidat për të parin e partisë më të madhe opozitare.
“Konventa e ardhshme nuk është një konventë ku unë garoj për karrigen e kryetarit. Unë po ftoj kryesinë e PDK-së që të ma japë të drejtën që të marr besimin e delegatëve, që të ketë një proces politik, që të ketë një javë më shumë. Çka ndryshon një javë më shumë: që të ketë debat politik, që të ketë prezantim të platformave”, deklaroi Hoxhaj.
Por, nga PDK-ja kanë thënë se në bazë të statutit, Konventa për zgjedhjen e Kryetarit duhet të mbahet brenda pesë ditësh, duke ia bërë me dije Hoxhajt se nuk mund të shtyhet.
PDK-ja deri më tani ka pasur tre kryetarë dhe një ushtrues detyre. Kjo parti, që nga themelimi e deri në vitin 2016 ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi që ishte zgjedhur President i Kosovës.
Thaçin e kishte pasuar Kadri Veseli, i cili kishte drejtuar PDK-në deri në nëntor të vitit 2020. Ai kishte dhënë dorëheqje për shkak se i ishte ngritur aktakuzë për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.
Si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj. Ai kishte qëndruar në këtë pozitë për disa muaj.
Më pas, si Kryetar, 3 korrik 2021, ishte zgjedhur Memli Krasniqi. Ai ishte rikonfirmuar si Kryetar i PDK-së më 21 qershor të vitit 2025, në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, të njëmbëdhjetën me radhë.
Si Kryetar i PDK-së, Krasniqi ka qenë për plot 4 vjet e katër muaj.









