Pjesë e Kompanisë “Ballard Partners”, me të cilën Kosova nënshkroi kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është edhe Michael (Mike) Rubino.
Pikërisht ky person, Rubino, më herët ka lobuar për partinë e ish-Presidentit nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, raporton Magazina “Tjetër”.
Në vitin 2018, Rubino kishte qenë partner në kompaninë amerikane Twin Rocks Global.
Kjo kompani, sipas dokumenteve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, ishte regjistruar për ta përfaqësuar Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), pra partinë e Dodik-ut.
Kjo kishte ndodhur kur Dodik ishte i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit – marrëveshja që i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Dodik ka qëndrime tejet të ashpra kundër Kosovës. Madje, është personi kryesor se pse Bosnja e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për shkak se Republika Srpska përdor veton në Presidencën tre palësh të Bosnjës – boshnjake, serbe dhe kroate.
Në faqen zyrtare të “Ballard Partners”, Mike Rubino, thuhet se “ishte ndër personat e parë të punësuar në fushatën presidenciale të Donald J. Trumpit në vitin 2016, ku shërbeu si këshilltar i lartë dhe drejtoi operacionet në dhjetë shtete kyçe, në nëntë prej të cilave Trumpi fitoi”.
Të martën u bë e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka nënshkruar kontratë lobimi me kompaninë “Ballard Partners”, në mënyrë kjo e fundit t’i ofrojë “konsulencë strategjike dhe shërbime të avokimit (lobimit), në lidhje me veprimtarinë pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”. Kontrata do t’i kushtojë Kosovës 50 mijë dollarë në muaj, shumë kjo që do të paguhet në baza tremujore (nga 150 mijë).
Vlera totale e kontratës është 600 mijë dollarë. Ka hyrë në fuqi më 15 nëntor, dhe do të jetë aktive deri në të njëjtën periudhë të vitit 2027, me mundësi vazhdimi.









