Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po kërkon sërish vota nga opozita, pak më shumë se një vit pasi që i quajti “hajvanat”, ndonëse si opozitë kritikonin pushtetin e atëhershëm se po kërkon vota prej tyre ndonëse po i shan.

“Jepshin premtime për koeficient më shumë se në programin e tyre. Çfarë hajvanash. Po ka kalu koha e hajvanatit”, kishte thënë Kurti më 9 shkurt 2025.

Por, sharjet ndaj opozitës i kishte kritikuar zëvendësi i tij, Glauk Konjufca, para se të vinin në pushtet.

“Kështu nuk mblidhen votat duke e sha opozitën. Domethënë një ditë më përpara të shajnë, e pastaj vijnë në Kuvend, hajdeni ndihmonani se është një çështje shumë e rëndësishme”, thoshte Konjufca.

Mirëpo, përkundër se kanë vepruar ashtu siç dikur kanë kritikuar, Kurti po kërkon sërish vota të opozitës për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Si tri subjekte të mëdha, të cilët së bashku kanë, le t’i mbledhim me shpejtësi, 93 deputetë. Pra, 53 Vetëvendosja, 22 PDK-ja dhe 18 LDK-ja. Ne kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti më 10 korrik.