Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit.

Lënda në kushtetuese është dërguar nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, dhe avokati Faton Fetahu.

“Sapo e dërguam në Gjykatë Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve.”, tha Tahiri për gazetarë.

Tahiri theksoi se është imediate që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme.

“Konsiderojmë që është imediate, shumë e rëndësishme që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri për me e votu Qeverinë, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, shtoi ai.

Për secilin vendim që do të merret, Tahiri theksoi se do t’i drejtohet aktit më të lartë juridik në vend. “Në mënyrë që vendi të kthehet në binarë kushtetues dhe të respektohen institucionet, të respektohet akti juridik më i lartë i vendit, Kushetetuta e Kosovës”.

Në vazhdimin e seancës konstituive të dielën, PDK nuk mori pjesë, pasi që në atë të së premtes, Vetëvendosja nuk ia votoi kandidaten e tyre për nënkryetare, Vlora Çitakun. Ata kërkuan të ndërrohet kandidatja.

Por, një ditë më pas, VV-ja tha se do t’ia votonte, mirëpo PDK refuzoi që të marrë pjesë dhe paralajmëruan dërgimin në Kushtetuese dhe tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Çitakut deri në një vendim të këtij institucioni.

Përkundër se PDK nuk mori pjesë në seancë, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, procesoi me votimin për nënkryetarë, ku u zgjodhën Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Tanja Vujoviç e Listës Serbe dhe Emilja Rexhepi e komuniteteve joshumicë joserbe.

Ndonëse nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk u zgjodh, Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin.

Disa orë më pas, VV-ja thirri seancë për votimin e Qeverisë.

Opozita – PDK, LDK dhe Aleanca – e bojkotuan. Të pranishëm ishin deputetët e VV-së, Listës Serbe dhe ata të komuniteteve joshumicë joserbe.