Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit ose do të kemi Qeveri të re, ose do të ketë zgjedhje të reja.

Në një prononcim për gazetarët pas seancës konstituive, Abdixhiku ka shpjeguar se pse e votuan Nenad Rashiç-in për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

“Meqenëse aktgjykimi i gjykatës Kushtetuese ka lënë hapësirë për votime edhe të grupeve ose individëve tjerë jashtë një partie të tillë meqenëse kështu ka qenë vendimi, ne kemi konsideruar se për një pozitë tërësisht të parëndësishme parlamentare siç është pozita e pestë të Kuvendit, Kuvendi dhe institucionet e Kosovës duhet të mos bllokohen më. Futemi në afate kushtetuese tani janë rregullat e qarta, ose kemi qeveri ose zgjedhje të reja”, tha Abdixhiku.

Sa i përket koalicionit me Vetëvendosjen, kreu i LDK-së theksoi se “vendimi ynë është i qartë në këtë drejtim ju lutem jemi gati për zgjedhjet e ardhshme, të dielën do të kemi festë të madhe”.

Të gjithë bllokadën e krijuar me cështjen e nënkryetarit serb, Abdixhiku e quajti “budallaki”.

“Është budallaki e çmenduri e madhe që Republika e Kosovës të bllokohet për një pozitë kaq të parëndësishme, kur erdhëm ne në këtë pikë të rënies kaq të rënd intelektuale institucionale”, shtoi.