Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se sot mund të jetë seanca e fundit konstituive, për shkak se të gjithë kandidatët e komunitetit jo shumicë serb mund të hedhen në short dhe mund të dështojnë nga tri herë në votim. Prandaj, ajo ka thënë se presin që AAK-ja dhe Nisma të votojnë Nenad Rashiçin.
“Sot mund të jetë seanca e fundit sepse nëse sot të gjithë hedhen në short dhe nuk ka tjetër që pret, atëherë nuk ka arsye të mblidhemi pas 48 orëve. Është e rëndësishme ta konstituojmë Kuvendin, sepse kjo situatë çon në zgjedhje. Ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në zgjedhje, mendojmë se duhet të konstituohet”, tha Haxhiu para nisjes së seancës konstituive.
Sipas saj, situata është në dorën e opozitës. “Nëse PDK, LDK refuzojnë ta bëjnë këtë, të paktën presim nga AAK, Nisma”, shtoi ajo.
Edhe në seancën e sotme, procedura për përzgjedhjen e kandidatit do të aplikohet me short, si në seancat e kaluara, kjo pasi që Lista Serbe nuk propozoi kandidat tjetër pas tri dështimeve të Slavko Simiç-it.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e aplikoi procedurën me short, pasi që tha se një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë, duke u thirrur në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Nga ana tjetër, Lista Serbe tha se ky aktgjykim nuk vlen për çështjen e nënkryetarëve, prandaj insistuan që kandidat i vetëm i tyre të jetë Simiçi.









