Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk janë hetuar gazetarët, por janë hetuar kriminelët serbë, si Milan Radojiçiç, dhe kështu, sipas saj, janë zbuluar lidhjet e tyre me këta kriminelë. Ndonëse nuk i përmendi emrat e tyre, theksoi se e dinë kush janë ata, sepse “e kanë mizën pas veshit”.
Këto komente, Osmani i bëri në një konferencë për media, një ditë pasi që tha se për ndonjë prej gazetarëve “do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë”, në një reagim që e bëri pasi që kameramani i mediumit “Paparaci”, Jetmir Muji, u arrestua në momentin kur po xhironte për një raport rreth shkollimit të vajzave të saj.
“Nuk janë hetuar gazetarët, është hetuar tjetër kush. Janë hetuar Radojçiç-at. S’ka pasur asnjëherë nevojë të hetohen disa gazetarë. Ose më qartësisht, se s’po dua me përmendë termin gazetarë, sepse nuk dua juve me iu fut në thes me njerëz të tillë”, tha ajo.
Ajo përmendi edhe disa plane për grusht-shtet.
“Kur hetohen Radojiçiç-at dalin bashkëpunëtorët e tyre dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, e kanë detyrë morale, e kanë detyrë ligjore që të hetojnë çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë planet për grusht-shtet, përfshirë rrezikimet e ndryshme që ia janë bërë e i bëhen Kosovës”, potencoi.
Kjo, sipas saj, nuk nënkupton që janë hetuar gazetarët, por “janë hetuar njerëz të tjerë dhe pastaj kanë dalë shumë prova”.
Ajo deklaroi se këta persona nuk mund t’i thotë me emër e mbiemër për shkak se institucionet e sigurisë janë ende duke i vazhduar hetimet dhe nëse do të publikoheshin do të pengonte hetimet dhe “unë nuk dua të pengojë hetimet”.
“E dinë ata kush janë, e kanë mizën pas veshit. Prandaj edhe më sulmojnë për shkak të qëndrimeve kundër Listës Serbe. Prandaj, edhe ata sepse nuk kanë se si të jenë të suksesshëm në sulmet ndaj meje, tentojnë t’i sulmojnë vajzat e mia të mitura. Kjo është komplet politike”, pretendon ajo.
Presidentja insistoi se nuk janë hetuar gazetarët dhe “as unë si presidente nuk kam kërkuar të hetohen gazetarë nga institucionet tona të sigurisë”.
“Në momentin që institucionet e sigurisë mua më që thonë nuk pengohen hetimet në qoftë se dilet me emër e mbiemër, unë do ta bëj këtë, në atë moment të parë do ta bëj këtë. Mirëpo, nuk është në interes të Kosovës që të pengohen hetimet”.
Nuk pengohen hetimet, sipas saj, “nëse them do të shokoheshit, dhe po e përsërisë do të shokoheshit, çdo qytetar i Republikës do të shokohej kur do ta sheh një gjë të tillë, por për këto gjëra do të pres kur institucionet e sigurisë e vlerësojnë se nuk do të pengohen hetimet”.