Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria që ai e drejton, por edhe partia që ai e udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje, gjithmonë i ka respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por pyetjet e shpeshta që po i bëhen për vendimin e fundit në lidhje me konstituimin e Kuvendit, thekson se “ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë të bëjmë”.
Ai tha se vonesa në publikimin e aktgjykimit të plotë të vendimit të 8 gushtit të Kushtetueses, ku u konstatua se Avni Dehari ka shkelur Kushtetutën, “nuk është e mirë” dhe në bindjen e tij “ka mospërputhje midis këtij aktgjykimi… dhe atij të 26 qershorit, të po kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese”.
“Edhe njëherë po e ritheksoj se ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet Kushtetuese, por kësaj radhe, për dallim nga 26 qershori, e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi aktgjykimin e plotë i cili po vonohet, e të cilin duhet ta lexojmë në tërësinë e tij”, deklaroi Kurti për gazetarët, pas pjesëmarrjes në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.
Kur ta lexojnë aktgjykimin e plotë, atëherë kryeministri theksoi se “do ta themi vlerësimin tonë meritor”.
Më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese doli me vendim dhe ai thoshte se: Avni Dehari shkeli Kushtetutën se nuk zbatoi vendimin e fundit të kësaj gjykate; se Lëvizja Vetëvendosje obligohet ta ndërrojë kandidatin për kryetar pas tri tentimeve të dështuara; se kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të hapur. Por, aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar.