Konzervatorja e përbetuar Sanae Takaichi u zgjodh kryeministrja e parë femër e Japonisë nga parlamenti i vendit të martën, në një moment historik për një shtet tradicionalisht patriarkal, ku si politika ashtu edhe vendet e punës dominohen nga burra të moshuar.
Takaichi merr postin në një kohë kur Japonia po përballet me probleme të rënda ekonomike dhe një skenë politike të përçarë e të bllokuar – dhe vetëm pak ditë para vizitës së planifikuar të presidentit amerikan Donald Trump.
64-vjeçarja Takaichi, e cila është bateriste heavy metal dhe adhuruese e motorëve Kaëasaki, është rritur në qytetin Nara pranë Osakës.
Ardhja e saj në majën e politikës japoneze shënon një ngritje të jashtëzakonshme: nga prezantuese televizive dikur, në bartëse të flamurit të idealeve tradicionale dhe nacionaliste.
Si një e afërt e ish-kryeministrit të vrarë Shinzo Abe, Takaichi e ka përqafuar trashëgiminë e tij konservatore. Ashtu si Abe, ajo mbështet ndryshimin e kushtetutës paqësore të Japonisë dhe ka vizituar një faltore të diskutueshme lufte ku janë përfshirë edhe emrat e personave të dënuar për krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore – dy çështje që ngjallin zemërim në Kinë dhe Korenë e Jugut, vende që njëkohësisht janë edhe partnerë tregtarë të rëndësishëm për Japoninë.
Ajo gjithashtu kundërshton martesat e të njëjtit seks dhe lëvizjen në rritje që kërkon t’u lejojë çifteve të martuara të përdorin mbiemra të ndarë.
Disa nga këto qëndrime, si pikëpamjet e saj të ashpra ndaj Kinës, mund të komplikojnë marrëdhëniet rajonale të Japonisë. Ndërsa brenda vendit, disa shprehin shqetësim për planet e saj ekonomike – për të shpenzuar shumë dhe për të ulur taksat – në një kohë kur vendi po përballet me inflacion të lartë dhe kosto të rritura të jetesës.
Ndryshe nga shumë kolegë meshkuj, Takaichi nuk vjen nga një dinasti politike.
Ajo ka lindur në Narë, një qytet turistik i njohur për drerët e tij të egër, nga një baba që punonte në një kompani makinash dhe një nënë police.
Para se të hynte në politikë, ajo kishte bërë praktikë në zyrën e një kongresmeneje demokrate amerikane dhe kishte punuar si komentatore televizive.
Që prej anëtarësimit të saj në Partinë Liberaldemokrate në pushtet (e cila, pavarësisht emrit, është parti konservatore), Takaichi është zgjedhur në parlament nëntë herë. Ajo ka mbajtur disa poste ministrore, përfshirë ato për barazinë gjinore dhe çështjet demografike, dhe ka udhëhequr Këshillin e Kërkimeve të Politikave të partisë. Së fundmi, ajo shërbeu si ministre e sigurisë ekonomike në administratën e Fumio Kishidës.
Ajo u zgjodh kryetare e LDP-së në fillim të tetorit, duke mposhtur kandidatë më të moderuar – një shenjë e zhvendosjes së partisë djathtas pas një sërë humbjesh në zgjedhje për shkak të votuesve të pakënaqur që u drejtuan partive të reja të ekstremit të djathtë.
Takaichi u zgjodh kryeministre nga të dy dhomat e parlamentit, por tani duhet t’i përgjigjet popullit japonez prej 120 milionë banorësh. Një nga sfidat e para të saj do të jetë përballja me çmimet e larta të mallrave – për shembull, çmimi i orizit, ushqim bazë në Japoni, është gati dyfishuar nga viti i kaluar.
Gjithashtu, Japonia përballet me krizën e përhershme të rënies së lindshmërisë, tkurrjen e fuqisë punëtore dhe rritjen e popullsisë së moshuar. Ka një reagim gjithnjë e më të madh publik kundër imigracionit masiv. Ndërkohë, marrëdhëniet tregtare me administratën e Trump dhe tarifat e paparashikueshme të vendosura më herët këtë vit kanë tronditur ekonomitë aziatike.
Një tjetër sfidë e madhe është rikthimi i besimit të publikut, me LDP-në që po kalon krizën më të rëndë të dekadave të fundit dhe që ka humbur shumicën parlamentare nën ish-kryeministrin Shigeru Ishiba, pas një skandali për fondet politike.
Zakonisht, zgjedhja si kryetare e partisë në pushtet do të mjaftonte për të siguruar postin e kryeministres. Por rruga e Takaichit drejt pushtetit ishte e ndërlikuar: përveç humbjes së shumicës, LDP-ja humbi edhe partnerin e saj të koalicionit prej 26 vitesh, Komeito, i cili e ndërpreu aleancën pas fitores së saj në garën për lidership.
Kjo e detyroi LDP-në të kërkonte një partner të ri koalicioni – dhe përfundimisht u bashkua me partinë opozitare Nippon Ishin (Partia e Inovacionit e Japonisë) përpara votimit të së martës.
Nippon Ishin ndan disa nga vlerat konservatore të Takaichit – si kontrollet më të ashpra të imigracionit – dhe ka siguruar një zotim për të ulur numrin e deputetëve me 10% si pjesë e marrëveshjes së koalicionit. Por partia ka edhe ambicie të tjera, si ta bëjë Osakën, bazën e saj politike, “kryeqytetin e dytë” të Japonisë.
Partia e Takaichit shpreson se ajo mund të jetë përgjigjja ndaj papopullaritetit të fundit. Por, me një derë rrotulluese kryeministrash – katër brenda pesë viteve të fundit – “Zonja e Hekurt” e Japonisë do të duhet të tregojë rezultate shpejt nëse dëshiron të mbetet në pushtet.









