Për herë të parë pasi mori pozitën e kryediplomatit, Glauk Konjufca do ta përfaqësojë Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në Këshillin e Sigurimit, sot (e enjte, 09 prill) do të diskutohet për raportin e misionit të OKB-së, UNMIK për Kosovën.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, Konjufca ka udhëtuar tashmë në New York.

Në thelb të debatit në OKB, në seancat e mbajtura qëndron raportimi periodik i UNMIK, misioni i OKB-së në Kosovë, i cili paraqet vlerësime për situatën e përgjithshme të sigurisë, funksionimin e institucioneve dhe raportet ndëretnike.

Këto raporte shpesh shërbejnë si bazë për diskutimet mes vendeve anëtare, të cilat kanë qëndrime të ndara për statusin e Kosovës.

Në disa seanca të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesit e Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur rishikimin, reduktimin, madje edhe përfundimin e mandatit të UNMIK, gjë që është kundërshtuar nga Serbia, Rusia dhe shtetet mosnjohëse.

Zakonisht, Kosova përfaqësohet nga Ministrat e Jashtëm të cilët janë në detyrë në kohën e diskutimit, e në raste më të rralla edhe nga Presidenti.