Dy kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, kanë zhvilluar sot takime me krerët institucionalë në Kosovë, fillimisht me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e më pas me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Delegacioni amerikan po qëndron në rajon për të zhvilluar takime me përfaqësues institucionalë dhe për t’u informuar lidhur me çështjet e pakicave dhe zhvillimet politike në rajon.

Në takimin me kongresistët amerikanë, Albulena Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Kongresit Amerikan ndaj Kosovës.

“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, tha Haxhiu.

Ajo falënderoi kongresistin Keith Self për mbështetjen ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet çështje e sigurisë afatgjatë dhe e stabilitetit rajonal.

Haxhiu vlerësoi gjithashtu praninë e kongresistit Suhas Subramanyam në delegacion, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi dhe inovacioni.

Pas takimit në Presidencë, delegacioni amerikan zhvilloi takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Vizita e kongresistëve në Kosovë vjen pas qëndrimit të tyre në Luginën e Preshevës, ku ngritën shqetësime për pozitën e shqiptarëve atje.

Kongresisti republikan Keith Self deklaroi se ekzistojnë “probleme reale” mes shqiptarëve dhe Serbisë, duke theksuar se delegacioni po viziton edhe Kosovën për t’u informuar rreth trajtimit të pakicës serbe dhe të drejtave të saj.