Në lidhje me incidentin e sotëm në Skenderaj, ku dyshohet se në një përplasje fizike janë përfshirë Kryetari i Komunës, Sami Lushtaku dhe shefi i degës së VV-së aty, Hysni Mehani, Prokuroria ka nisur intervistimin “e disa të dyshuarve dhe dëshmitarëve. Këtë, e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

“Po intervistohen të dyshuar dhe dëshmitarë në lidhje me rastin. Nuk kam ende të dhëna se kush janë të dyshuarit. Prokurorja është në stacion policor në Skenderaj. Atje janë duke u zhvilluar procedurat e hetimit të rastit”, tha Preteni, pa treguar nëse në mesin e të intervistuarve është edhe Lushtaku.

Gjatë kësaj të enjteje (14 maj) në qendër të qytetit në Skenderaj dyshohet se ka ndodhur një përplasje fizike mes Kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku dhe kryetarit të degës së VV-së dhe njëherit zv/ministrit të Financave, Hysni Mehani. Pas ngjarjes, Mehani ka kërkuar ndihmë mjekësore.