Ushtria e Sirisë ka thënë të hënë se sulme me dronë kanë shënjestruar disa nga bazat e saj pranë kufirit me Irakut, një sulm i rrallë ndaj pozicioneve siriane që nga sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit një muaj më parë, të cilat nxitën një luftë në të gjithë Lindjen e Mesme, shkruan Reuters.
Damasku ka qenë i kujdesshëm të qëndrojë në periferi të konfliktit rajonal që ka përfshirë vendet fqinje, përfshirë Libanin, ku grupi i armatosur Hezbollah është i përfshirë në luftime me trupat tokësore izraelite, dhe Irakun, ku fraksione të lidhura me Iranin kanë ndërmarrë sulme me dronë dhe raketa.
Në një deklaratë për mediat shtetërore siriane, ushtria e Sirisë tha se shumica e dronëve sulmues u rrëzuan, por nuk specifikoi nga kishin ardhur. Ajo tha se po vlerëson opsionet për t’u përgjigjur.
Siria dërgoi mijëra trupa në kufirin e saj perëndimor me Libanin dhe në kufirin lindor me Irakun më herët këtë muaj. Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha se vendosja ishte pjesë e përpjekjeve për të “mbrojtur dhe kontrolluar kufijtë në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit rajonal”.
Gjatë muajit të fundit, copëza nga ndërprerjet e raketave kanë rënë në disa pjesë të Sirisë.
Sipan Hamo, zëvendësministër i mbrojtjes për Sirinë lindore, tha të dielën se katër dronë nga Iraku sulmuan një bazë në verilindje të Sirisë ku janë të vendosura forcat amerikane, por u interceptuan.
“E mbajmë Irakun përgjegjës dhe i bëjmë thirrje të parandalojë përsëritjen e sulmeve që kërcënojnë stabilitetin tonë”, shkroi Hamo në platformën X.









