Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka njoftuar se janë duke hequr njehsorët elektrikë që janë vërejtur se kanë mospërputhje me kohën.

MINTI ka bërë me dije se Komisioni i posaçëm i themeluar nga kjo Ministri për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut.

“Njehsorët, që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Aty theksohet se rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë.

MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që të parashtrojnë ankesa në adresën e elektronike ([email protected]), në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Këto veprime të Ministrisë vijnë pasi që mediumi Nacionale raportoi para disa ditësh për devijimin e njehsorëve të energjisë elektrike, ku u tha se shumë qytetarë po dëmtohen pasi që të njëjtit nuk kalojnë në tarifën e ulët në orën 22:00, ashtu siç kishte vendosur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Mostrat treguan se plotë njehsorë ishin prapa në kohë. Rrjedhimisht një konsumator ka shpenzuar energji elektrike duke menduar se është me tarifë të lirë, por si pasojë e defektit në njehsorë ata janë faturuar me çmime shumë më të larta.