Pasi që Kuvendi i Kosovës lëshoi të mërkurën komunikatë ku kritikonte deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se pse kanë shkuar në Kuvend, ndonëse janë deputetë, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, iu është kundërpërgjigjur reagimit të PDK-së për këtë çështje.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se opozita “nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”.
“Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, shtoi ajo.
Haxhiu theksoi se këtë sjellje e “dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit”.
Të enjten, deputetët e PDK-së shkuan në Sekretariatin e Kuvendit, pikërisht për komunikatën skandaloze të Kuvendit në të cilën kritikoheshin pse kanë shkuar në vendin e tyre të punës.
Kritika ndaj shkuarjes së deputetëve opozitarë në seancë u bë në pjesën e fundit të njoftimit të Kuvendit për vizitat e mërgimtarëve në legjislativ.
“Pas fjalës së saj, të rinjtë u ftuan në grupe në sallën e seancave plenare për t’u njoftuar me punën e Kuvendit. Gjatë kësaj pjese në sallë hynë deputetë të grupeve parlamentare të PDK-së dhe të AAK-së, me ç’rast aktiviteti u ndërpre”, thuhet në komunikatë.
Pikërisht ky formulim nxiti reagimin e deputetëve të PDK-së, të cilët e konsideruan të papranueshme që në njoftim të veçohet hyrja e deputetëve në sallën plenare, e cila është vendi i tyre i punës.
Komunikatën e Kuvendit, deputetja e PDK-së, Blerat Deliu-Kodra, e quajti skandaloze, duke shtuar se Kuvendi nuk i takon asnjë partie politike dhe se i njëjti, siç pohoi ai, është marrë “peng” nga Vetëvendosja.
“Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit. Nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, tha Deliu-Kodra.
Deputetët e PDK-së kanë kërkuar sqarime nga Sekretariati i Kuvendit lidhur me përmbajtjen e këtij njoftimi.









