Petar Petkoviç, drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”, ka thënë se masat lehtësuese që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi për serbët e Kosovës nga Ligji për të Huajt pas takimit me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, janë lajme të mira për serbët në Kosovë.

Marrëveshja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, për Petkoviçin, mundëson që serbët e Kosovës të punojnë në institucione ku punëdhënës është Beogradi.

Politikani serb ka sqaruar se sipas marrëveshjes së fundit, kryetarët e Komunave me shumicë serbe do të përpilojnë lista të stafit në strukturat paralele, në bazë të të cilave serbët do të kenë mundësi të marrin leje-qëndrim dhe leje për punë.

Petkoviç ka thënë po ashtu se këto lista do të përditësohen çdo vit dhe për përmbajtje do të kenë vetëm të dhëna personale.

“Kjo do të thotë se askush nuk do të mund të ndërpresë punën e tyre, të hyjë me forcë ose të mbyllë institucionet, ndërsa njerëzit do të mund të vazhdojnë lirshëm të punojnë, të studiojnë dhe të marrin trajtim mjekësor. Lista do të përditësohet çdo 12 muaj, sepse disa punonjës do të dalin në pension, të tjerët do të punësohen, dhe studentët do të marrin radhën për shërbim.”, ka thënë Pektoviç.

Gjatë konferencës, Petkoviç ka deklaruar se është evituar më e keqja që sipas tij është mbyllja e institucioneve paralele të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.

“Ne shmangëm skenarin më të keq të mundshëm të mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë dhe Metohi, sepse ky ishte qëllimi kryesor i zbatimit të Ligjit për të Huajt, të cilin Albin Kurti vendosi ta zbatojë pas 13 vitesh. Ne ndaluam mbylljen e institucioneve tona, në mënyrë që njerëzit tanë të mund të vazhdojnë të studiojnë, të mësojnë, të marrin trajtim mjekësor dhe të shkojnë në punët e tyre. Ne shpëtuam Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Kosovës, qendrat shëndetësore në Graçanicë dhe Pashjan, të gjitha qendrat shëndetësore, institucionet bazë, një universitet me dhjetë fakultete dhe një akademi.”